“Projektligji për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë” ishte fokusi i diskutimeve sot në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi u shpreh në lidhje me faktin se ky projektligj ka kohë që përgatitet dhe në parim ka mbështetjen e ASH-së.

“Ky projektligj duhet të jetë i balancuar, për vetë kompleksitetin që ka çështja. Kam vetëm dy vërejtje të karakterit strukturor që vetëm e përmirësojnë projektligjin. Neni 17 duhet të jetë pjesë e kapitullit të tretë që e ezauron pikën se çfarë janë institucionet kërkimore shkencore dhe njësitë e posaçme”, u shpreh Gjinushi, ndërkohë që e vazhdoi fjalën e tij me kërkesën për riformulim të katër pikave kryesore.

“Krijimi i Këshillit Kombëtar për Shkencën nuk është gjë e re, por duhet një riformulim i tij për t’i dhënë më shumë peshë. Duhet të jetë filtri kryesor për strategjinë dhe aktet kryesore që rregullojnë kërkimin shkencor. Ne jemi për idenë që të riformulohet në një mënyrë më të saktë, ose duke i dhënë peshë më të drejtpërdrejtë,” tha ai.

Gjinushi renditi edhe nenet e tjera që sipas tij duhen rishikuar për një qasje me të drejtë dhe të balancuar në këtë projektligj.

“Neni 21 është shumë i rënduar dhe duhet të jetë në frymën për Arsimin e Lartë, në rast të mbylljes së njësive të caktuara. Këtu dalin dy probleme që lidhen me financimin, ku duhet shtuar fakti që institucionet të përcaktojnë shpërblime për punë të veçanta. Një problem tjetër është për punonjësit kërkimor shkencor dhe pagesat e punës jashtë orarit. Deri tani, këtë pjesë e rregullon Kodi i Punës që përcakton vetëm dy orë, por ndërkohë që duhet të caktohet edhe masa e punës jashtë orarit, si kohë dhe si shpërblim”, theksoi Gjinushi.

“Neni 23 të rishikohet, pasi duhet rritur autonomia e institucionet dhe IAL-ve. Neni 35, nga ana tjetër duket sikur çdo gjë kalon nga Ministria, kur dihet që për programe dhe projekte të caktuara aplikohet konkursi. Parashiohet të ketë status për punonjësit kërkimorë, drejtues, kërkues kërkimorë, dhe ata duhet të përfitojnë statusin e mjeshtrit apo drejtues i kërkimeve. Ka edhe disa rregullime të tjera të karakterit teknik, por që do i paraqesim me shkrim, sepse mendojmë se ato e përmirësojnë ligjin”, tha kryetari i ASH-së, Skënder Gjinushi./ata