Ushtria izraelite shkaktoi vrasje të shumta dhe shkatërrime pronash duke përdorur robot me bomba, bomba të vendosura në fuçi dhe mjete ajrore pa pilot të llojit "Quadcopter" në gjenocidin që po kryen në veri të Rripit të Gazës.

Drejtori i Zyrës për Media në qeverinë në Gaza, Ismail al-Sawabite, në deklaratën për Anadolu, informoi lidhur me armët dhe pajisjet që Izraeli përdor në gjenocidin që po kryen në veri të Rripit të Gazës.

Sawabite tha se ushtria izraelite përdor robotë të telekomanduar dhe të ngarkuar me bomba që enden mes shtëpive dhe rrugëve, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në infrastrukturë dhe zona të banuara dhe humbje njerëzore.

Duke treguar se përveç robotëve, Izraeli bombat i vendos në fuçi dhe tanke që përdoren për ruajtjen e ujit dhe detergjentit, Sawabite tha se këto bomba shpërthehen kur palestinezët afrohen.

Më tej ai thekson se Izraeli hap zjarr në çdo mjet që lëviz duke përdorur mjet ajror pa pilot të llojit "Quadcopter", ndërsa për të bombarduar shtëpitë përdor avionët luftarakë. Sawabite gjithashtu tregoi se përdorimi i këtyre mjeteve vdekjeprurëse, të cilat shkaktuan një numër të madh të vrasjeve, pasqyron qëllimin e Izraelit për të kryer krime gjenocidale kundër popullit palestinez.

Ai informoi se në sulmet që po vazhdojnë mbi 10 ditë në veri kanë humbur jetën mbi 350 persona, ndërsa janë plagosur qindra të tjerë. Sawabite potencoi se ushtria izraelite nuk lejoi që ekipet e ndihmës së parë dhe të mbrojtjes civile të arrijnë në zonat e sulmuara dhe për këtë arsye të lënduarit janë lënë në vdekje.

Sipas tij, në vazhdimin e gjenocidit të Izraelit, rol të tyre kanë SHBA, Britania, Gjermani dhe Franca, duke u bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare që t'i bëjnë presion Izraelit për të ndalur këtë luftë të egër./aa