Rasmus Paludan, një politikan danezo-suedez i ekstremit të djathtë, i njohur për djegien e kopjeve të Kuranit në Suedi, dje doli para gjykatës i akuzuar për nxitje kundër një grupi etnik.
Paludan, udhëheqësi i partisë politike daneze Stram Kurs (Linja e Ashpër), është personi i parë që përballet me gjyqin në Suedi për djegien e Kuranit në vend. Procesi u zhvillua në një gjykatë në Malmo, por 42-vjeçari nuk pranoi të paraqitej personalisht, duke përmendur shqetësimet e sigurisë nëse ai udhëtonte në qytetin jugor suedez. Në vend të kësaj, ai mori pjesë përmes video-lidhjes nga një vend i pazbuluar në Suedi.
Sipas transmetuesit kombëtar suedez SVT Nyheter, Paludan po përballet me dy akuza për nxitje kundër një grupi etnik dhe një akuzë për fyerje, lidhur me tubimet publike të mbajtura në Suedi në vitin 2022. Në prill të atij viti, Paludan mbajti një tubim ku dogji kopje të Kuranit, që çoi në trazira në disa qytete, përfshirë Malmo, Landskrona, Linkoping dhe Orebro. Prokurorët pretendojnë se deklaratat e tij gjatë këtyre tubimeve përbëjnë nxitje kundër një grupi etnik.
Paludan akuzohet gjithashtu për sulme verbale me motive racore kundër arabëve dhe afrikanëve në një ngjarje tjetër publike në vitin 2022, për çka ai përballet me akuzën për fyerje. Nëse shpallet fajtor, ai mund të vuajë deri në gjashtë muaj burg. Paludan mohon të gjitha akuzat.
Djegiet kopjeve të Kuranit në Suedi dhe Danimarkë, të kryera në vitin 2023 me pretekstin e fjalës së lirë, kanë provokuar protesta të gjera në vendet me shumicë muslimane, përfshirë sulme ndaj misioneve diplomatike.
Si përgjigje, Danimarka miratoi një ligj në dhjetor duke e bërë të paligjshme djegien e kopjeve të Kuranit në publik. Megjithatë, Suedia është ende duke vlerësuar masat e mundshme ligjore për të fuqizuar policinë për të mos lejuar tubime të këtilla për arsye të sigurisë kombëtare.
Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) u ka kërkuar vendeve anëtare të marrin në konsideratë veprimet politike dhe ekonomike kundër Suedisë, Danimarkës dhe vendeve të tjera ku lejohet djegia e Kuranit. OBI i karakterizoi aktet e tilla si "veprime agresive që përhapin urrejtje dhe përbuzje për fetë, duke kërcënuar paqen, sigurinë dhe harmoninë globale".aa