Historia nuk mund të bëhet pengesë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ky ishte mesazhi i kryeministrit Edi Rama, teksa u pyet në Luksemburg për ndarjen e rrugëve të Shqipërisë për procesin e integrimit me Maqedoninë e Veriut.

“Ndihemi vërtetë të trishtuar, e them më sinqeritet këtë gjë, që vëllezërit tanë të Maqedonisë së Veriut ende nuk kanë qenë në gjendje që të hyjnë në këtë fazë të procesit, ndërkohë që kanë qenë, ndër të parët që e kanë nisur procesin. Ndaj, kur flas për poshtërimet tona, tri herë njëra pas tjetrës na u refuzua nisja e bisedimeve të anëtarësimit, ndihem pak në siklet, pasi më duhet të mendoj për poshtërimin e Maqedonisë së Veriut, që i duhej të ndryshonte edhe emrin, që të mundte ta niste këtë proces. I qëndroj gjithçkaje që kam thënë për miqtë tanë bullgarë, sepse historia nuk mund të jetë arsye për të ndalur bisedimet e anëtarësimit për asnjë vend”, u shpreh Rama.

Në konferencën për shtyp kryeministri Edi Rama, së bashku, me Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, e cila mban edhe presidencën e radhës së BE-së, dhe Komisionerin e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, theksoi se vendosja në nivele dypalëshe e procesit të anëtarësimit drejt BE-së është diçka e sëmurë.

“Nuk është sulm kundër miqve tanë bullgarë, thjeshtë po themi diçka të dukshme. Për ne arritja e BE-së është ta shohësh të shkuarën me sytë e të ardhmes, dhe jo të ardhmen me sytë e së shkuarës, pasi kjo do të sillte ndërlikim.

Dje në takimin e Procesit të Berlinit deklaruan se vendosja në nivele dypalëshe e procesit të anëtarësimit drejt BE-së është diçka e sëmurë, që vetëm sa i bën dëm një vendi, vetëm sa i bën dëm asaj që është një familje vlerash dhe parimesh”, u shpreh Rama, ndër të tjera./ata