Kryeministri Edi Rama, nga Konferenca e Dytë Ndërqeveritare me BE sot në Luksemburg, foli edhe për pritshmëritë dhe qasjen edhe të vendeve të tjera ndaj kësaj marrëveshjeje të BE-së me Shqipërinë.
“Më lejoni t’ju them se kur hyra në këto korridore një dekadë më parë, ju betohem se flokët e mia kishin më shumë ngjyra. 10 vjet ka qenë një rrugë e gjatë dhe kur mendoj që Shqipëria ka dyfishuar PBB-në e saj, ka trefishuar pagën minimale, ka dyfishuar pagën mesatare, ka ulur borxhin nën 60%, ka rritur investimet direkte dhe është shndërruar në destinacionin më në modë të turizmit në Evropë, që ka pasur rritjen më të madhe të udhëtimeve në aeroporte nga një milion në vit, në më shumë se 10 milionë tani,” tha Rama.
Kryeministri theksoi mbështetjen e madhe që ka marrë nga dy komisionerët Oliver Várhelyi dhe Ursula von der Lyen gjatë këtij rrugëtimi të Shqipërisë drejt BE-së.
“Dhe kur shoh që në procesin e integrimit kemi ndryshuar kaq shumë gjëra me Komisionerin e BE – Olivér Várhelyi dhe Komisioneren Ursula von der Leyen, hyjmë në një dinamikë dialogu, që nuk mund të jetë o gjithçka, o asgjë në fund! Siç e thashë, edhe Putini na ndihmoi. Kemi shumë gjëra të reja, të cilat nuk ishin kështu për vendet e tjera kur u përpoqën të ishin anëtare të BE-së,” shtoi ai.
Plani i rritjes ekonomike është një prej këtyre gurëve të themelit që ka rëndësinë e vet në këtë proces, sipas Ramës.
“Plani i ri i rritjes është pjesë e kësaj dhe nuk është vetëm instrument financiar, sepse gazetarët kudo shohin vetëm pjesën financiare, por ka të bëjë edhe integrimit në tregun e përbashkët evropian. Duke nisur nga fillimi i vitit tjetër që të jemi pjesë e hapësirës së përbashkët të pagesave, të gjithë qytetarët që jetojnë jashtë do të kursejnë miliona euro nga transfertat monetare”.
Kryeministri shtoi se Shqipëria dhe qytetarët e vendit të tij e kanë pritur me shumë inkurajim këtë proces.
“E kemi pritur me shumë inkurajim. Pesë vjet më parë këto gjëra ishin të pamundura, sot janë realitet. Tri herë njëra pas tjetrës u poshtëruam, pastaj dinamikat pas dyerve të mbyllura ishin të tilla që ne tri herë u poshtëruam. Por, “ajo që s’të vret të bën më të fortë”, ka thënë një filozof gjerman. Ne kemi dalë më të fortë nga kjo dhe ja ku jemi! Rruga përpara është shumë e gjatë dhe nuk kemi iluzione dhe zakonet e vjetra nuk ikin kollaj. Rruga mund të jetë me pengesa, por për ne nuk ka rrugë dhe të ardhme tjetër. Dhe diçka, kur shqiptarët bien në dashuri, nuk i ndal dot kush!”/ata