Konferenca e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, që u mbajt sot në Luksemburg shënoi edhe hapjen e bisedimeve për kapitujt e “Themeloreve”, blloku kryesor i negociatave për anëtarësim.

Shqipëria rikonfirmoi angazhimin e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme, me synimin përfundimtar anëtarësimin e plotë në BE.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi një ditë të shënuar.

“Jemi në një ditë tjetër të shënuar për Shqipërinë që do të mbahet mend gjatë”, tha Balluk pas hapjes së negociatave në Luksemburg.

Balluku po merrte pjesë në një aktivitet në Fier, në kuadër të Ditës së Çlirimit të Fierit.

Edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar në një postim në rrjetet sociale. Ai thekson se kjo është “një ditë historike për Shqipërinë”.

“Sot, me hapjen e grup-kapitullit të parë “Themeloret” në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare për integrimin në BE, Ministria e Drejtësisë merr një rol vendimtar në avancimin e reformave për institucione më efikase në shërbim të qytetarëve dhe forcimin e sundimit të ligjit. Vijojmë me vendosmëri drejt “Shqipëria 2030″”, thekson Manja./ata