Kryeministri Edi Rama garantoi sot se Shqipëria do të forcojë arritjet e bëra në Reformën e Drejtësisë, ndërsa theksoi se për herë të parë në historinë e vendin po dënohen nga një gjykatë e pavarur persona të profilit të lartë apo figura politike.
Në konferencën e përbashkët për shtyp nga Luksemburgu pas mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama theksoi se “gjendemi këtu sot, sepse Shqipëria ka përmbushur në mënyrë absolute të gjitha parakushtet për të nisur këtë fazë të anëtarësimit”.
Rama konfirmoi se Shqipëria mbetet e palëkundur në vendosmërinë e saj për të përmbushur të gjitha detyrimet e ardhshme.
“Do ta bëjmë këtë bashkë me partnerët tanë përmes negociatave me angazhime të qarta e përmes punës së madhe. E bëjmë me përpjekje të ripërtëritura për të forcuar arritjet e bëra në Reformën e Drejtësisë, duke nxitur një sistem gjyqësor më transparent dhe më llogaridhënës”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “për herë të parë në historinë tonë, qysh se kur Shqipëria u bë shtet sovran në vitin 1912, po shohim hetime të profilit të lartë apo figura politike që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur, pavarësisht lidhjeve të tyre me partinë në pushtet apo të tjerë”.
“Do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin apo krimin e organizuar në çdo nivel, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë e për të merituar vendin tonë në tryezën e BE-së. Institucionet tona të reja të drejtësisë të lindura nga reforma më themelore tërësore në drejtësi që është marrë nga ndonjë vend kandidat përpara se të hyjë në BE po shënojnë përparime domethënëse, krah agjencive ligjzbatuese e partnerëve evropianë”, shtoi Rama./ata