Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku solli sot shembullin e Hygertës, e cila është punonjësja më e re që i është bashkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në rrëfimin e saj, Hygerta ndan gjithë eksperiencën e të qenit pjesë e administratës publike, së bashku me ftesën drejtuar të rinjve që kanë dëshirë të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit.
“MIE do t’i ketë gjithmonë dyert e hapura për këdo, duke qenë krah dhe mbështetje në rritjen e profesionistëve të rinj”, theksoi Balluku.
Hygerta shprehet se ka mbaruar studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale me rezultate të larta.
“Aktualisht prej pak kohësh jam pjesë e administratës publike, e emëruar specialiste e sektorit të transportit ajror në MIE”, u shpreh ajo.
“Pasi u njoha me të gjitha politikat e rekrutimit në institucionin e Departamentit të Administratës Publike, aplikova për t’u bërë pjesë e këtij konkursi”, tha Hygerta.
“Fillimisht kisha një lloj pasigurie pasi ishte hera e parë për mua që merrja pjesë në këto lloj procedurash dhe kisha dëgjuar fjalë të ndryshme në lidhje me zhvillimin. Megjithatë pas përgatitjes së duhur arritja që të merrja rezultatin e kërkuar”, shtoi Hygerta.
Ajo u shpreh e se ndihet shumë e motivuar dhe e vlerësuar që po jep kontributin në vendin e saj.
Ajo ftoi të gjithë të rinjtë që janë në kërkim të një pozicioni pune dhe duan të bëhen pjesë e administratës publike të ndjekin të gjitha procedurat e rekrutimit sepse kështu si ajo, edhe ato mund të bëhen pjesë e saj./ata