Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale festohet çdo vit më 15 tetor dhe kjo ditë i kushtohet miliona grave që jetojnë në zona të largëta, rurale, për të festuar dhe theksuar arritjet dhe kontributet e tyre në zhvillimin rural dhe bujqësinë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zgjodhi sot të urojë gratë në këtë ditë me historinë e një gruaje, e cila me një përkushtim të rrallë vazhdon traditën e tezgjahut, dhe tashmë po ia kalon edhe të bijës.
“Drita, me një përkushtim të rrallë, vazhdon traditën e tezgjahut që e ka trashëguar nga e ëma dhe tashmë po ia kalon edhe vajzës së saj, Jonidës. Puna e saj është më shumë se një zanat, është një urë që lidh të kaluarën me të ardhmen, një rrugë që na tregon se fuqia e grave rurale nxit ruajtjen e vlerave kulturore, përbën një burim të ardhurash për ekonominë familjare dhe atë lokale, si dhe kontribuon në zhvillimin rural”, tha ministrja Denaj.
Vetë Drita Gordi tregon se tezgjahu nuk është një punë e lehtë, por se do ta vijojë pasi sa i vështirë është si zanat, po aq është edhe i bukur.
“Ëndrrat duan punë. Këtë zanat e kam trashëgim nga nëna ime dhe vazhdoj ta trashëgoj te ime bijë. Është zanat i vështirë, por i bukur”, shprehet Drita.
Ndërsa Jonida, e bija, thotë se tradita e tezgjahut është ndër ato tradita që ia vlen për t’u ruajtur dhe është shumë e vyer.
“E kam trashëguar nga ime më dhe nga gjyshja. Ato e punonin tezgjahun me shumë dashuri, që e përcollën edhe tek unë. Kjo më shtyn më tepër ta vijoj, të mos e lëmë të zhduket. Kam hyrë në tezgjah që e vogël, dhe shpesh edhe pa i marrë leje time mëje, duke ia prishur jo pak herë. Tani e kuptoj që e dua edhe unë”, thotë ajo.
Gjatë shekujve, gratë dhe vajzat në zonat rurale, janë angazhuar në shumë aspekte të jetës së përditshme të komuniteteve të tyre. Ato kanë luajtur një rol kyç në bujqësi, prodhimin ushqimor, mirëmbajtjen e familjeve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të zonave rurale./ata