Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon 395 punonjës të rinj me kohë jo të plotë për angazhimin në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Sekretarja e Përgjithshme e KQZ, Majlinda Çelmeta tha sot në Komisionin e Ligjeve, se rekrutimi i punonjësve të rinj lidhet me përgatitjen dhe me miradministrimin e procesit zgjedhor.
“Procese pune të tilla si implementimi i teknologjisë në zgjedhje, monitorimi i fushatës, edukimi zgjedhor, kontrolli i financave të partive politike dhe votimi nga jashtë kërkojnë kapacitete njerëzore të mjaftueshme të kualifikuara për një periudhë të shkurtër kohore.
Për zgjedhjet në Kuvendit për vitin 2025, kërkojmë 395 punonjës me kohë jo të plotë pune nga të cilët 58 me afat kohor mesatarisht 2 muaj, brenda vitit 2024. Parashikohen të punësohen 10 punonjës me afat kohor 12 muaj”, u shpreh Çelmeta.
Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në KQZ, Anila Ruço theksoi se janë në pritje të akordimit të fondeve, pasi kërkohet kohë për rekrutimin e punonjësve.
“Jemi në pritje të akordimit të fondeve. Është e pamundur që të gjitha proceset e punës, të shpallen vendet e punës, të rekrutohen njerëzit, të aplikojnë, të përzgjidhen të trajnohen sepse koha është e pamjaftueshme, kur miratohet ligji për buxhetin që të rekrutohet dhe ky staf. Me miratimin e numrit pritet dhe akordimi i fondit dhe më pas është vetë kontraktimi i tyre”, u shpreh Ruço.
Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, theksoi se kërkesa miratohet në parim, por vendimi do të merret mbledhjen e ardhshme.
“Ne miratojmë në parim, por të gjitha këto të dhëna që ne kërkojmë duhet të jenë të plotësuara. Vendimmarrjen në mbledhjen tjetër”, u shpreh Bushka.
Nga menaxhues të rrjeteve sociale, specialistë të monitorimit, monitorues të medieve online, operatorë, redaktorë, specialistë për kamera e deri te specialistë IT, janë disa nga punonjësit që kërkon KQZ./ata