Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Jorgo Goron, kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës.

Goro u arrestua të shtunën me kërkesë të SPAK, pasi po hetohet për akuzën “shpërdorim detyre”.

Po ashtu GJKKO shqyrtoi masat e sigurisë për 4 të akuzuarit e tjerë, dy prej tyre ende në kërkim.

Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë kur nisi hetimi u la me detyrim paraqitjeje, nga “arrest me shtëpie” që ishte kërkesa e SPAK.

Në arrest shtëpie janë lënë: Vezir Gjikoka ish-jurist, Jerasimo Bashi ish-drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë.

Jorgo Goro sipas akuzës nga SPAK, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar  me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Jorgo Goro mbajti detyrën e kryebashkiakut të Himarës edhe pasi zgjedhjeve të fundit lokale, pasi Fredi Beleri, kandidati fitues në zgjedhjet e vitit 2023 u arrestua dhe u përball me drejtësinë./ata