Komisioni i Ligjeve miratoi sot me 19 vota pro dhe 1 kundër ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat i hapin rrugë edhe votës së diasporës.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike bashkuan votat për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, ndërsa kundër votoi deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj, i cili theksoi se “nuk është votë kundër diasporës, por kundër pazarit PS-PD”.

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri shpjegoi ndryshimet që janë propozuar, nga vota e diasporës te 1/3 e listës së mbyllur, ndërsa theksoi se “ligji duhet të jetë uniform për të gjithë”.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se realizimi i votës së diasporës është një arritje shumë e madhe, ndërsa kujtoi se të gjithë deputetët aktualë janë produkt i listave të mbyllura.

Ndryshimet e miratuara në Komisionin e Ligjeve përfshijnë edhe propozimet e Adriatik Lapajt, i cili kërkoi që fleta e votimit të diasporës të jetë me ngjyrë të ndryshme nga ato që do të përdoren brenda Shqipërisë, për të evituar çdo mundësi manipulimi, si dhe ngritjen e një komisioni të posaçëm që pret votën e diasporës.

Drafti i miratuar në Komisionin e Ligjeve parashikon që fletët e votimit të dërguara nga zgjedhësit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të numërohen në ambientet e KQZ-së.

“KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ, nëpërmjet shërbimit postar me shpenzimet e zgjedhësit. Në rast se KQZ përzgjedh ofrues ndërkombëtarë të shërbimit postar me jashtë vendit ky ofrues duhet të ketë eksperiencë dhe reputacion të mirë në shërbimin e postës së shpejtë, dhe zgjedhja e tij realizohet nëpërmjet procedurave më afatshkurtra që mundëson legjislacioni për prokurimin publik.”

PS dhe PD kanë rënë dakord që pragu elektoral të jetë 1 për qind. Në konsensus mes palëve u vendos që të hiqet pragu prej 7 mijë votash që ishte përcaktuar me herësin. Ndërsa nuk është pranuar propozimi i opozitës për koalicione parazgjedhore.

Ndërkohë sipas këtyre ndryshimeve 1/3 e listave të deputetëve do të jenë mbyllura, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e hapur.

“Kandidatët e listës shumemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi”, thuhet në ndryshimet e miratuara.

Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.

Ndryshimet më të fundit të Kodit Zgjedhor erdhën edhe si rezultat i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për votën e emigrantëve dhe herësin në zgjedhje.