Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e ish deputetit demokrat Ervin Salianji për pezullimin e dënimit me burg. Tre gjyqtarët Sokol Binaj, Sandër Simoni dhe Ilir Panda, refuzuan lirimin e Salianjit, i cili do vazhdojë të qëndrojë në burgun e Fierit, ku ka për të vuajtur dënimin me 1 vit burg, dhënë nga Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjthshëm.

Tashmë pritet që në Gjykatën e Lartë mbrojtja e deputetit të bëjë rekurs, ndaj vendimit të 26 shtatorit, të cilin e kanë konsideruar si politik.

Mbrojtja e Salianjit kishte depozituar disa argumenta, mbi të cilat kërkonte pezullimin e dënimit të datës 18 dhjetor 2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë që u la në fuqi më 26 shtator të këtij viti nga Apeli.

Sipas mbrojtjes, ekzekutimi i dënimit është bërë në mungesë të arsyetimit të vendimit– Shkelje e Nenit 142/1 të Kushtetutës së Shqipërisë. Më tej avokatët e deputetit thonë se drejtësia po ndikon me vendimarrjet e saj edhe në të ardhmen politile të Salianjit, në një kohë kur ai drejton fushatën elektorale në zonën e Elbasanit për Partinë Demokratike.

Ish-deputeti i PD Ervin Salianji arrestua më 27 shtator 2024 një ditë pasi trupa gjykuese e gjykatës së Apelit me një votim unanim lanë më 26 shtator në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 18 dhjetorit 2019 e cila shpallte fajtor Salianjin për ‘kallëzim të rremë’ lidhur me për audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg. Në audio përgjim pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge./Shqiptarja