SHBA njoftoi se ka filluar një dislokim fillestar të trupave dhe pajisjeve në Izrael teksa përgatitet të vë në funksion një sistem të avancuar të mbrojtjes raketore për të forcuar mbrojtjen e Izraelit.

Një ekip i avancuar i trupave amerikane dhe komponentëve fillestarë për sistemin THAAD mbërritën dje në Izrael, tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Patrick Ryder.

"Gjatë ditëve në vijim, personeli shtesë ushtarak amerikan dhe komponentët e baterisë THAAD do të vazhdojnë të mbërrijnë në Izrael. Bateria do të jetë plotësisht e aftë dhe funksionale në të ardhmen e afërt, por për arsye sigurie operacionale ne nuk do të diskutojmë afatet kohore", tha Ryder.

"Dislokimi i baterisë THAAD në Izrael nënvizon angazhimin e SHBA-së për mbrojtjen e Izraelit dhe për të mbrojtur amerikanët në Izrael nga çdo sulm me raketa balistike nga Irani", shtoi ai.

Vendosja e sistemit të mbrojtjes ajrore vjen pasi Izraeli kërcënohet të godasë Iranin pas sulmit me raketa balistike të Teheranit më 1 tetor. Irani tha se sulmin e kishte kryer në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e ish-liderit politik të Hamasit në Teheran në korrik dhe vrasjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, Hassan Nasrallah në Bejrut muajin e kaluar.

Rreth 200 raketa u nisën në atë sulm, që goditën disa lokacione në Izrael, duke përfshirë një strukturë ushtarake izraelite.

Irani është zotuar se do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çdo hakmarrjeje të mëtejshme izraelite.

Sulmet midis Tel Avivit dhe Teheranit janë përshkallëzuar këtë vit pasi Izraeli bombardoi Ambasadën e Iranit në Damask, Siri, më 1 prill, duke vrarë zyrtarë të lartë ushtarakë. Irani iu përgjigj atij sulmi dy javë më vonë duke lëshuar qindra dronë dhe raketa balistike në Izrael.

Pothuajse të gjithë u interceptuan nga Izraeli, SHBA dhe aleatët e tyre./aa