Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se 92.821 fëmijë janë vaksinuar në kuadër të fazës së dytë të fushatës së vaksinimit ndaj poliomielitit që ka nisur dje në Rripin e Gazës.

"Dje ka nisur faza e dytë e fushatës për vaksinimin e poliomielitit në Gaza. Sipas raportimeve fillestare, janë vaksinuar 92.821 fëmijë ndërsa 76.394 fëmijë kanë marrë suplemente të vitaminës A", shkroi Ghebreyesus në rrjetin social X, duke njoftuar se fushata do të vazhdojë deri më 17 tetor.

Ai u bëri thirrje palëve të ruajnë angazhimin e tyre për një "pauzë humanitare" në zonat ku kryhen vaksinimet. Duke theksuar se fëmijët në Gaza kanë nevojë për vaksinim dhe ndihmë, Ghebreyesus tha: "Mbi të gjitha, ata kanë nevojë për paqe".

Ministria palestineze e Shëndetësisë pati njoftuar se rasti i parë i poliomielitit u zbulua në Rripin e Gazës më 16 gusht.

Fushata e vaksinimit ndaj poliomielitit që mbulon më shumë se 600 mijë fëmijë nën moshën 10-vjeç në Rripin e Gazës, nisi në bashkëpunim me OBSH-në, Ministrinë palestineze të Shëndetësisë, Fondin e OKB-së për Fëmijët (UNICEF) dhe Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNWRA).

Faza e parë e vaksinimit ishte kryer më 16 shtator, duke arritur një mbulim prej 90 për qind./aa