Aksioni i opozitës  me kërkesën për qeveri teknike është zhvendosur tashmë nga kryeqyteti ynë drejt Strasburgut.

Deputetët e opozitës do të mbajnë një protestë përpara Parlamentit Evropian.

Mësohet se ky tubim do të mbahet në datën 23 tetor, ditë që përkon me zhvillimin e seancës plenare në PE.

Sakaq, raportohet se në këtë protestë do të ketë një pjesëmarrje prej 30 deputetësh të opozitës.

Është e para herë në historinë e vendit, që deputetë të një force politike do të protestojnë përpara institucioneve të Parlamentit Europian.

Ka qenë Belind Këlliçi, i cili ditën e protestës deklaroi se do të protestojnë para institucioneve ndërkombëtare.

“Protesta do të përshkallëzohet. Nuk është e thënë se do të bëhet vetëm në sheshe dhe rrugët e kryeqytetit, do ta zhvendosim te Kuvendi, para Parlamentit Europian, para Komisionit Europian. Do të zhvillohet aty ku ka partnerë që duhet të informohen për realitetin ku ndodhet Shqipëria. Shqipëria është kthyer në narko-shtet”, deklaroi Këlliçi më 7 tetor në një intervistë për emisionin Open në News24./GazetaShqiptare