Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se krenaria e nderi i Kosovës janë viktimat e dhunës seksuale.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se krenaria e nderi i Kosovës janë viktimat e dhunës seksuale. Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga QKRMT mbi dhunën seksuale deklaroi se drejtësia nuk arrihet pa u mbajtur përgjegjës kriminelët.

“Dua të ju sigurojë që mbështetja jonë për ju do të rritet dhe do të vazhdojë. Ne gra e burra të Kososvës do të jemi më shumë e jo më pak për çdo vit që shkon. Për këto 25 vjet e kemi kujtuar dhimbjen, por kemi dëshmuar se përkundër kësaj dhimbje ka shpresë dhe vendosnëri”, deklaroi Osmani.

“Ambasadorja e Guximit”, e cila gjashtë vjet më parë rrëfeu publikisht për krimin e përjetuar, kujtoi ditën e 14 prillit të vitit 1999. Vasfije Krasniqi Goodman tha se ‘asnjëherë nuk do e harrojë tmerrin e përjetuar’.

“Kjo mund të jetë një tregim, por për mua 14 prilli 1999 është diçka që pavarësisht sa kohë ka kaluar kurrë nuk do të largohet nga unë….e nderuara familja ime, faleminderit që keni qëndruar pranë meje në 24 vitet e fundit dje burrit tim faleminderit shumë. Ndonjëherë mundohem të jem e mirë gjatë gjithë kohës, është vështirë me qenë në Kosovë kur ke të mbijetuar të tjerë që më kontaktojnë, por ka edhe të mbijetuar që vetëm ju premtohet të aplikojnë për status, por nuk ju njihet statusi. Dhe kjo është diçka që nuk ja fali qeverisë time”, deklaroi ai.

Në 25-vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, po mbahet konferenca ndërkombëtare mbi dhunën seksuale në konflikt.

Në këtë konferencë po merr pjesë Dr. Denis Mukwege, laureat i Çmimit Nobel për Paqe.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare per Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti kujtoi pranverën e vitit 1998, ku tha se për herë të parë takoi popullatën e prekur nga lufta. Në mesin e tyre, ajo theksoi se grupi më i prekur ishin te mbijetuarit e dhunës seksuale, te cilët kishin nevojë për përkrahje emocionale. /Kosovapress/