Universiteti i New Yorkut në Tiranë (UNYT), pjesë e Fondacionit Turk Maarif, ka organizuar ceremoninë me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2024-2025, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve shqiptare, të institucioneve turke, drejtuesve të universitetit, pedagogëve dhe studentëve.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila ishte e pranishme në ceremoni, në fjalën e saj u shpreh se vlera e shtuar e UNYT-së është jo vetëm mësimdhënia në gjuhën angleze, por dhe mundësia për të fituar një diplomë të dyfishtë shqiptare dhe amerikane, mbështetur në marrëveshjen e bashkëpunimit me Empire State University.

"22 vitet që kanë kaluar nga themelimi i universitetit (UNYT), kanë dëshmuar se përpjekjet e pedagogëve, drejtuesve, studentëve, bashkëpunëtorëve, partnerëve dhe prindërve kanë dhënë një produkt cilësor, të vlerësuar mes universitetesh shqiptare dhe më gjerë, i pranuar ky produkt edhe nga tregu i punës në Shqipëri dhe më tej", tha Spiropali.

Spiropali theksoi se UNYT është një histori suksesi që vazhdoi edhe me ndryshimin e pronësisë së tij në favor të Fondacionit Turk Maarif, që sipas saj mbështet transmetimin e dijeve.

Ndërkohë, në një deklaratë për Anadolu, kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, u shpreh se Fondacioni Turk Maarif është një fondacion publik që përfaqëson qasjen e Türkiyes në fushën e arsimit në arenën ndërkombëtare.

"Me rekomandimin e presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan), ne po përpiqemi të hapim shkollat e Türkiyes për vendet mike dhe vëllazërore dhe të forcojmë marrëdhëniet njerëzore midis Türkiyes dhe njerëzve. Në këtë kontekst, ne po përpiqemi të zgjerojmë dhe përmirësojmë arsimin ekzistues të institucioneve arsimore të Fondacionit Turk Maarif, të cilat aktualisht ndodhen në 54 vende", tha ai.

Akgün shtoi se në vitet në vijim do të përpiqen të zgjerojmë hapësirën e institucioneve turke arsimore, veçanërisht në Ballkan, dhe Shqipëria sipas tij është një prej tyre. Ai tha se në UNYT ka studentë nga dhejtëra vende të ndryshme, duke shtuar se universiteti përfaqëson perspektivën arsimore dhe ndërkombëtarizimin e vërtetë.

Akgün gjithashtu mbajti një fjalë përshëndetëse edhe në ceremoninë për hapjen e viti të ri akademik.

Ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, nga ana e tij, tha se shteti turk ofron mbështetjen e plotë ndaj Fondacionit Maarif dhe aktiviteteve të tij në mbarë botën. Ai tha se është shumë i kënaqur që si ambasador të shohë rritjen e fondacionit, me praninë e tij në botën akademike.

"Jemi shumë krenarë që jemi pjesë e procesit të rritjes së pranisë akademike (të Fondacionit Maarif) në Shqipëri", tha Atay.

Duke folur për hapjen e negociatave për grupkapitullin e parë mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Shqipërisë, Atay tha se dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë.

"Ju përgëzojmë për hapjen e kapitujve në procesin e negociatave me BE-në", theksoi Atay.

Rektori i UNYT-së, Prof. Dr. Ali Güneş, në fjalën e tij tha se janë mbledhur për të festuar hapjen e vitit të ri akademik.

"Është një kohë e eksplorimit intelektual, rritjes personale dhe mundësive të pakufishme. Universiteti i New Yorkut është një fener i inovacionit dhe njohurive në Ballkan, me personelin akademik shumë të kualifikuar, të përditësuar me kurrikulën dhe kapacitetin kërkimor, i cili qëndron si një dëshmi e përkushtimit tonë kolektiv ndaj arsimit dhe ndjekjes së vërtetës", tha Güneş.

Në Shqipëri viti i ri akademik 2024-2025 në universitetet publike dhe private të vendit filloi më 7 tetor./aa