Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me mësuesit e shkollës “Emin Duraku”, e cila u përurua dje, pas rindërtimit falë programit “EU4Schools”, të zbatuar nga UNDP.

Manastirliu tha se “me mësuesit e shkollës “Emin Duraku” folëm edhe për dy rolet e reja që po integrohen në shkollë: Mësuesi Koordinator i Cilësisë dhe Mësuesi Koordinator i Këshillimit të Karrierës, që janë role shumë të rëndësishme në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe orientimin profesional të nxënësve”.

Ministrja Manastirliu u shpreh se, “mësuesit janë shtylla kryesore e arsimit dhe mbështetja për zhvillimin profesional të tyre vijon në fazën e dytë të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, ku 16 mijë mësues të shkencave natyrore, matematikës, gjuhës shqipe, teknologjisë së informacionit dhe arsimit fillor po marrin kualifikime të reja, për metodat më efektive të mësimdhënies”.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka hapur thirrjen për përzgjedhjen e 320 koordinatorëve mësues për vlerësimin e cilësisë në shkollë dhe 320 mësues koordinatorë për orientimin e karrierës në shkollë, dy pozita dhe role të reja në shkollë që do të ndikojnë jo vetëm në rritjen e cilësisë së arsimit, por edhe në mbështetjen e talenteve përgjatë gjithë ciklit të arsimit.

Shkolla “Emin Duraku” është ndërtuar, pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, me kushte moderne, duke përfshirë klasa të reja, laboratorë, palestër dhe terrene sportive, që ofrojnë kushte me standarde të larta për mësim për 1300 nxënës dhe mësues të kësaj shkolle./ata