Është hapur në sallën e sporteve "1 Tetori" në Prishtinë, edicioni i 24-të i Panairit Ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit "AgroKos".

Dhjetëra biznese të cilat merren me agrobiznes dhe ushqime, zunë vend me shtandet e tyre në hapësirat e këtij panairi, në hapjen e të cilit mori pjesë edhe kryeministr i Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë edicion të panairit po marrin pjesë veçanërisht biznese dhe mysafirë nga Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Kryeministri Kurti tha se me investimet që janë bërë në infrastrukturën bujqësore, energjinë e lirë elektrike dhe mungesën e taksave doganore për lëndë të parë kanë bërë që Kosova të pozicionohet si një destinacion për investime rajonale dhe ndërkombëtare.

"Në 'AgroKos', agrobiznesi, arsimi dhe teknologjia bëhen bashkë për të krijuar mundësi të reja zhvillimi për vendin tonë. Ky panair jo vetëm që lidh bizneset me konsumatorët dhe produktet me qytetarët, por, krijon urë të fortë mes teorisë dhe praktikës për studentët, të cilët sigurisht si të rinj, sot janë liderët e së nesërmës", theksoi Kurti.

Ai tha se investitorët kërkojnë stabilitet në një vend dhe Kosova ka rritje mesatare ekonomike me 6.2 për qind në vitet e fundit, që dëshmon trend pozitiv të progresit ekonomik.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci tha se përgjatë mandatit qeverisës kanë mbështetur fermerët me rreth 300 milionë euro.

"Në vitin 2023 sipërfaqja e tokës së punuar është 121.650 hektarë, apo rritje 49.23 për qind krahasuar me vitin 2019", theksoi Peci.

Ai shtoi se sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, eksporti i produkteve bujqësore dhe ushqimore për tre vitet e shkuara 2021 deri 2023, është rritur për 93.54 për qind.

Panairi "AgroKos" i cili do të mbahet më 16 dhe 17 tetor, synon zhvillimin e mëtejmë të zinxhirit të prodhimtarisë së vendit dhe atë ndërkombëtare në sektorin e agrobiznesit./aa