Lazar Dejanoviq është dënuar me 8 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë për huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar në protestat e dhunshme të cilat u zhvilluan gjatë pranverës së vitit 2023 në veriun e banuar me shumicë serbe.

Për Dejanoviqin, i cili pranoi fajësinë të mërkurën, do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Gjyqtari i rastit, Valon Kurtaj, e shpalli vendimin mbi dënimin e Dejanoviqit në formë të prerë, për shkak se palët nuk ushtruan ankesë lidhur me lartësinë e dënimit.

Me këtë rast, i pandehuri Dejanoviq, tha se marrëveshjen për pranimin e fajësisë e bën me vullnet të lirë.

Dejanoviq, banor i Mitrovicës së Veriut, është në paraburgim nga data 19 qershor 2024, ndërsa Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër tij më 15 tetor 2024.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më datë 29 maj 2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar dhe kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës./aa