Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në parlamentin e vendit të tij ka prezantuar "planin e fitores", sipas të cilit synon t’i japë fund luftës me Rusinë që vazhdon që nga shkurti i vitit 2022.

Në një adresim në Verkhovna Rada në kryeqytetin Kiev, Zelenskyy përshkroi pesë pika që formulojnë planin, e para prej të cilave është ftesa për t’u bashkuar me NATO-n.

"Ne e kuptojmë se anëtarësimi në NATO është një çështje e së ardhmes, jo e së tashmes. Por Putin duhet të shohë se llogaritjet e tij gjeopolitike po humbasin", tha Zelenskyy.

Ai renditi pikat e mbetura, respektivisht mbrojtjen, përmbajtjen jo-bërthamore, ekonominë dhe sigurinë pas konfliktit në rajonin euro-atlantik.

Presidenti ukrainas tha se Ukraina propozon vendosjen e një "pakete gjithëpërfshirëse të përmbajtjes strategjike jo-bërthamore" që do të mbrojë vendin nga sulmet ruse.

Ai tha se depozitat e burimeve kritikave të Ukrainës janë ndër qëllimet kryesore të Rusisë në konfliktin e vazhdueshëm, si dhe bëri thirrje për forcimin e potencialit ekonomik të vendit.

"Këto (burime) përfshijnë veçanërisht uraniumin, titanin, litiumin, grafitin dhe burime të tjera me vlerë strategjike që në konkurrencën globale do të forcojnë ose Rusinë dhe aleatët e saj ose Ukrainën dhe botën demokratike", tha Zelenskyy.

Ai gjithashtu tha se plani përmban tre anekse sekrete.

"Nëse fillojmë të ecim përmes këtij plani të fitores tani, ne mund të arrijmë t’i japim fund luftës më së voni deri në vitin e ardhshëm", theksoi ai./aa