Në New York u hap ekspozita e dytë e vitit të 10-të të "Istanbul Photo Awards", konkursi ndërkombëtar i fotografisë së lajmeve të organizuar nga Agjencia Anadolu (AA).

Në hapjen e ekspozitës në Türkevi, morën pjesë Konsulli i Përgjithshëm i Türkiyes në New York, ambasadori Muhittin Ahmet Yazal, Përfaqësuesi i Përhershëm i Türkiyes në OKB Ahmet Yıldız, Kryetari dhe Drejtori i Përgjithshëm i AA, Serdar Karagöz, koordinatori i Akademisë dhe Publikimeve të, Yahya Bostan, Drejtori i Lajmeve Vizuale të AA, Fırat Yurdakul, Drejtori i Komunikimit Strategjik dhe Menaxhimit të Markës AA, Hazal Duran, si dhe shumë ambasadorë, diplomatë, përfaqësues ndërkombëtarë, akademikë dhe anëtarë të medias dhe të ftuar.

Drejtori i Përgjithshëm i AA-së, Karagöz, i cili ishte nikoqir i aktivitetit, në fjalën e tij hapëse tha se çdo fotografi krijon dokument dhe një kujtim. "Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 'camera obscura' e parë në fotografinë e sotme dixhitale. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar është se çdo fotografi është dokument, sepse fotografia është një dokument i kohës dhe është dëshmitar i ndërtimit të kujtesës", tha ai.

Duke theksuar se fotografi palestinez, Mohammed Salem mori çmimin "Fotografia e Vitit" në çmimin e 10-të të "Istanbul Photo Awards", me veprën e tij të titulluar "Gruaja palestineze që përqafon trupin e vdekur të nipit të saj", Karagöz tha se fotografitë e përzgjedhura në "Istanbul Photo Awards" jo vetëm që dokumentojnë vuajtjet njerëzore, por gjithashtu theksoi se ajo ndërton edhe kujtesën kolektive të shoqërive.

 

- "Të gjitha përpjekjet tona janë të bëjmë të padukshmen të dukshme në ekosistemin modern të komunikimit"

Duke theksuar se librat "The Evidence (Dëshmia)" dhe "The Witness (Dëshmitari)" i përgatitur nga AA janë treguesit më të rëndësishëm të luftës kundër gjenocidit në Gaza, Karagöz tha se këta dy libra sot janë në tavolinat e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.

Ai shpjegoi se dokumentari i përgatitur si vazhdimësi e librit "Dëshmia" vazhdon të takohet me audiencën në Londër, Katar, Bosnjë e Hercegovinë dhe shumë shtete të SHBA-së. "Të gjitha përpjekjet tona janë që të padukshmen ta bëjmë të dukshme. Në ekosistemin modern të komunikimit të jetë shkas i zgjimit dhe ndërgjegjësimit kundër këtij gjenocidi", tha Karagöz.

Sipas tij, Gaza nuk është një çështje politike, por humanitare dhe se njerëzit e ndërgjegjshëm në mbarë botën vazhdojnë të qëndrojnë kundër kësaj padrejtësie, kundër çdo shtypjeje dhe dhunës. "Sa më shumë fëmijë dhe civilë të vrisni, aq më keq do të jetë humbja juaj përfundimtare. Është shumë e qartë se duke vrarë fëmijë, askush nuk mund të fitojë një luftë", theksoi ai.

 

- " Brenda 10 vitesh në konkurs morën pjesë 18 mijë fotografë me afërsisht 185 mijë fotografi"

Karagöz njoftoi se 18 mijë fotografë morën pjesë në "Istanbul Photo Awards" me rreth 185 mijë fotografi.

"Më shumë se 20 mijë fotografi nga e gjithë bota morën pjesë në konkursin e këtij viti. Pati pjesëmarrje intensive nga e gjithë bota, nga Brazili në Nepal, nga Kanadaja në Nigeri, nga Palestina në Japoni. Kjo na bëri shumë të lumtur", tha kryetari dhe drejtori i përgjithshëm i AA-së.

Duke thënë se juria ndërkombëtare vlerësoi me kujdes çdo kornizë të kapur nga 32 fotografë në 10 kategori të ndryshme, Karagöz përgëzoi fituesit e çmimeve në kategoritë e tyre.

Konsulli i Përgjithshëm Yazal tha se veprat në ekspozitë, e cila përfshin fotografitë më të mira të botës, zbulojnë anët më të mira dhe më të këqija të njerëzimit.

 

- "Të tregosh shembuj nga tragjedia e popullit tonë është një kontribut shumë i fuqishëm për njerëzimin".

Përfaqësuesi i Përhershëm i Palestinës në OKB, Riyad Mansur, duke folur për Anadolu, falënderoi ekspozitën mbi gjenocidin në Palestinë, veçanërisht fotografitë për Gazën.

"Ka shumë fotografi këtu që unë i pashë dhe nuk i kam parë më parë, por tregimi i shembujve të tragjedisë së popullit tonë në Rripin e Gazës është kontribut shumë i fuqishëm për njerëzimin", tha Mansur.

Ai thekson se numri i njerëzve të vrarë, të plagosur ose të bllokuar nën rrënoja në Rripin e Gazës i ka kaluar 150 mijë. "Ky është shembulli më i keq në historinë njerëzore, i sjellë kundër njerëzve të tjerë nga forcat pushtuese izraelite. Ne jemi mirënjohës që i ndatë këto fotografi në këtë ekspozitë dhe i mblodhët të gjitha këto imazhe në këtë libër, me Rripin e Gazës si kopertinë", tha përfaqësuesi palestinez në OKB.

Mansur potencoi se ata vlerësojnë solidaritetin e fortë të treguar nga populli dhe qeveria turke ndaj popullit palestinez./aa