Këto janë dy turistet e huaja që humbën jetën ditën e djeshme në vendin e quajtur “Qafë Valbonë”.

 

Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille me origjinë franceze sipas policisë kanë qenë duke eksploruar Valbonën, por për shkak të terrenit të thepisur kanë rënë në një greminë.

 

Mbrëmjen e djeshme, ato po lëviznin në shtegun Valbonë-Theth pa asnjë shoqërues që njeh zonën dhe si pasojë e terrenit të ashpër dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, me mjegull e borë, kanë rrëshqitur dhe kanë përfunduar në greminë.

 

Më vonë, u ka rënë dhe një ortek, goditje që ka rezultuar fatale për jetën e të rejave.

 

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë, shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes.