Ndërtimi mbetet në një nga sektorët kryesorë që po mbështet rritjen ekonomike në vend. Të gjithë treguesit shënuan rritje edhe në tremujorin e katërt të vitit 2022.

 

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) së fundmi, shitjet neto në volum shënoi rritje 16.1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, edhe prodhimi në volum shënoi rritje 18.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Të dhënat tregojnë edhe se indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rritje 2.3 %, ashtu sikundër pagat fondi i pagave u rrit me 17.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Nga të dhënat paraprake llogaritet se gjatë vitit të kaluar, ndërtimi zuri rreth 11% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

 

Gjatë vitit 2022 janë miratuar gjithsej 1420 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 1396 leje të miratuara në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 1.7 %. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja është 2.667.497 m2, nga 2.316.709 m2 miratuar në vitin 2021, duke shënuar një rritje prej 15.1 %.

 

Nga të dhënat e INSTAT-it, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 113 miliardë lekë në vitin 2022, nga 99.2 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2021, duke shënuar një rritje prej 14 %./Monitor