Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi një takim me akademik Nazim Grudën, një nga emrat më të shquar të bujqësisë dhe hortikulturës në nivel global.

Me një karrierë që përfshin mbi 35 vite kërkime dhe kontribut në bujqësinë e qëndrueshme, akad. Gruda është renditur në top 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë, sipas Universitetit të Stanfordit.

Denaj tha se biseda u fokusua në rëndësinë e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në prodhimin hortikulturor, ku Shqipëria synon të ecë përpara falë ekspertizës dhe përvojës së shkencëtarëve si prof. Gruda.

Akademiku shqiptar Nazim Guda u zgjodh para disa ditësh zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave Bujqësore dhe Pyjore të Europës.

Zgjedhja e tij në këtë detyrë u bë në takimin XII të Asamblesë së Përgjithshme të Unionit të Akademive Europiane për Shkencën e Aplikuar në Bujqësi, Ushqim dhe Natyrë (UEAA), ku u mbajt dhe simpoziumi shkencor shoqërues në datat 10-11 tetor 2024 në Bukuresht, Rumani.

Në certifikatën e firmosur nga kryetari i UEAA, prof. dr. Joan Jelev, cilësohet se akad. Gruda do të qëndrojë në këtë pozicion drejtues për dy vjet.

Akademik Gruda është gjithashtu pjesë e Bordit të të Urtëve pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural./ata