Ambasada e Zvicrës në Shqipëri përmes një postimi në faqen zyrtare të saj falënderoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mikpritjen e simpoziumit mbi zviceranin e famshëm Eugèen Pittard, i cili bëri shumë për Shqipërinë. “Një surprizë e këndshme ishte zbulimi i bustit të Pittard, pronë e Akademisë”, shkruhet në faqen zyrtare të ambasadës.

Simpoziumi shkencor “Eugene Pittard, zvicerani që bëri shumë për Shqipërinë” u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, veprimtari e cila u përshëndet nga akad. Skënder Gjinushi dhe ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gjinushi e vlerësoi albanologun, arkeologun e etnologun Pittard për kontributin që dha duke qëndruar në krah të shqiptarëve në ditët e periudhën më të vështirë të historisë së tyre, në atë të fillimit të shekullit XX, kur Pavarësia e Shqipërisë e shpallur më 1912 nuk ishte njohur ende e kur ricopëtimi i saj pas Luftës së Parë Botërore ishte më se prezent.

Pittard e vlerësuan edhe prof. dr. Neritan Ceka, arkeologu zviceran Albert Hafner, akad. Shaban Sinani, etj./ata