Jehona Varfi do të jetë drejtoresha e re e Cirkut Kombëtar.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Jehona Varfi është diplomuar në Trashëgimi Kulturore nga Universiteti i Prishtinës në vitin 2010, me bursë të plotë nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Edukim dhe Kërkim. Jehona Varfi ka ndërtuar një karrierë të pasur në fushën e menaxhimit kulturor dhe rinor.

Me një përvojë të gjerë në menaxhimin e projekteve strategjike, trashëgimisë kulturore dhe politikave publike, drejtoresha e re e Cirkut Kombëtar ka kontribuar në zhvillimin e politikave rinore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Përvoja e saj në institucionet shtetërore, përfshirë në disa ministri, si dhe përfaqësimi i Shqipërisë në Këshilla Ndërkombëtarë, e ka spikatur si një drejtuese me një vizion të qartë për potencialin e artit dhe kulturës.

Ministri Gonxhja tha se, drejtimi i saj sfidues në Cirkun Kombëtar pritet të sjellë një frymë të re dhe kreative, duke i dhënë një platformë më të gjerë artistëve të rinj dhe për të ngritur institucionin në nivelin që ai meriton, me një kalendar të pasur kulturor e bashkëpunime rajonale, si dhe në rritjen e kapaciteteve njerëzore./ata