Servisi i Anadolu-t në gjuhën shqipe sot shënon përvjetorin e dhjetë që nga fillimi i publikimeve të lajmeve në gjuhën shqipe.

Dhjetë vite më parë, më 1 tetor të vitit 2014, Anadolu filloi me publikimin e lajmeve në gjuhën shqipe ndërsa më 9 nëntor të vitit 2015 hapi qendrën e publikimeve në Shkup, nga ku sot vepron së bashku me gjuhën maqedonase.

Gjatë dhjetë viteve aktive me publikimin e lajmeve në gjuhën shqipe nga të gjitha anët e botës, ndjekur me përmbajtje fotografish dhe videosh, servisi i Anadolu-t në gjuhën shqipe ka fituar një dimension aktiv dhe më pranë mediave të hapësirës shqiptare, përfshirë lexuesve në këtë rajon dhe më gjerë.

Me praninë e saj në rajon, gjatë dhjetë viteve ekzistencë servisi i Anadolu-t në gjuhën shqipe numëron mbi 164 mijë lajme të publikuara, të cilat përmbajnë mbi 61 mijë foto galeri dhe mbi 36 mijë video materiale.

Gjuha shqipe ishte e teta që u lançua pranë këtij institucioni serioz mediatik. Krahas gjuhës turke, shqipe dhe maqedonase, Anadolu publikon lajme edhe në gjuhën angleze, arabe, BHSC (boshnjake, kroate, serbe, malazeze), ruse, frënge, kurde (dialektet Sorani dhe Kurmanji), perse, indoneziane dhe spanjolle./aa