Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, nesër do të niset për vizitën e tij të parë zyrtare në Kinë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning, bëri të ditur se vizita dy-ditore e sekretarit britanik do të përfshijë bisedime të nivelit të lartë në Pekin me homologun e tij kinez, Wang Yi.

Udhëtimi i Lammy-t shënon herën e parë që ai do të angazhohet në diskutime të drejtpërdrejta diplomatike me zyrtarët kinezë që nga marrja e detyrës pas fitores së Partisë Laburiste në zgjedhjet e mbajtura në muajin korrik në Mbretërinë e Bashkuar.

Vizita gjithashtu pason stërvitjet e fundit ushtarake kineze në shkallë të gjerë rreth Tajvanit, të cilat tërhoqën reagime të forta nga vendet perëndimore, përfshirë nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja.

Në muajin gusht, kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, zhvilloi bisedën e tij të parë telefonike me presidentin kinez, Xi Jinping, duke shprehur shpresën e Mbretërisë së Bashkuar për “diskutime të hapura, të sinqerta dhe të ndershme” për fushat e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve.

Kjo bisedë shënoi kontaktin e parë midis një kryeministri britanik dhe presidentit kinez që nga marsi i vitit 2022, kur Xi për herë të fundit bisedoi me kryeministrin e atëhershëm, Boris Johnson./aa