516 milionë euro shtesë janë arkëtuar në buxhetin e shtetit në 9 muajt e parë të këtij vitit.  Referuar treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale, për periudhën 9-mujore, arritën në rreth 528.4 miliardë lekë ose 99.6 % e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 51 miliardë lekë më shumë ose 10.7 % më shumë se 9 mujori i vitit 2023.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 171 miliardë lekë, 11.3 miliardë lekë ose 7% më shumë se 9-mujori 2023.

Konkretisht nga TVSH në import u mblodhën 115 miliardë lekë, 7.4 miliardë lekë ose 7% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.  Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 47.2 miliardë lekë, 4.1 miliardë lekë më shumë në raport me 2023.  Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2 miliardë lekë dhe nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6.6 miliardë lekë .

Performancën më të mirë gjatë kësaj periudhë e kanë pasur të ardhurat tatimore, të cilat për 9-mujorin 2024 u realizuan në masën 170.6 miliardë lekë, 18 miliardë lekë ose 11.8% më shumë se 9-mujori  i vitit të kaluar. Krahasuar me planin 9 mujor, të ardhurat rezultojnë 0.2 % më shumë. Kontributin kryesor gjatë kësaj periudhe e kanë dhënë të ardhurat nga TVSH, nxitur nga konsumi i lartë kryesisht përgjatë sezonit veror, për shkak të turizmit por dhe normalizimit të çmimeve.  Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizuan në masën 43 miliardë lekë, ose 20% më shumë se 9-mujori 2023, duke tejkaluar edhe planifikimin e bërë me  0.7%

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 43.4 miliardë lekë ose me realizim në masën 99.3 % e planit të 9-mujorit të vitit 2024 për Tatimin mbi Fitimin. Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 49.8miliardë lekë, 13.7% më shumë se 9-mujori 2023. Nga taksat nacionale u mblodhën  34 miliardë lekë, 6.4 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, gjithashtu kanë pasur perfomancë pozitive , duke u realizuar masën 118 miliardë lekë, 12.3 miliardë lekë shumë se 9-mujori 2023, si dhe realizim 100.5% të planit për 9 -mujorin 2024.

Sa i takon zërit të shpenzimeve, me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.8 përqind më i lartë ose rreth 33 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale, për periudhën 9-mujore të vitit 2024, rezultuan në rreth 47.7 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 2.8% më i lartë ose rreth 1.3 milionë lekë më shumë./Scan