Në portin e Civitavecchia në Romë, u mbajt takimi i 9-të i Komitetit Teknik të Komunitetit të Transportit për Transportin Ujor dhe Multimodalitetin.

Ky takim u organizua nga Sekretariati i Përhershëm i Transportit, ndërsa tema e këtij takimi ishte përmirësimi i efikasitetit dhe efektivitetit të procesit në porte.

Të pranishëm ishin përfaqësuesit e Autoritetit Portual të Durrësit, si dhe ekspertë nga e gjithë Evropa dhe më gjerë.

Përfaqësuesit e Autoritetit Portual Durrës, diskutuan lidhur me investimet kryesore që do të zhvillohen përgjatë 2024, zbatimin e projektit të ndërtimit të portit të ri të integruar në Porto-Romano, ndryshimet e kuadrit rregullator në përputhje me Direktivat e BE, si dhe investimet në fushën Cyber.

Në takim u diskutua gjithashtu për nismën “Maritime Single Window”, digjitalizimin dhe thjeshtimin e proceseve të tregtisë detare, si dhe ngritjen e kapaciteteve për operacione të qëndrueshme portuale.

Takimi përfundoi me një vizitë studimore në Portin e Civitavecchia, duke u ofruar të pranishmëve njohuri të drejtpërdrejta mbi objektet dhe operacionet portuale./ata