Lëvizshmëria e pafavorshme brenda dhe ndërmjet destinacioneve turistike është një faktorët që frenon kapacitetin e sektorit për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të konkurrueshmërisë. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka identifikuar disa nga sfidat përmes një analize të thelluar mbi sektorin, duke evidentuar nevojën për investime në infrastrukturë, ku përfshihen jo vetëm rrugët, por edhe energjia elektrike, furnizimi me ujë, sistemet e menaxhimit të mbetjeve, portet dhe limanet, teleferikët, etj.

Sipas draft Strategjisë për zhvillimin e sektorit në 6 vitet e ardhshme, infrastruktura ende në zhvillim kufizon aksesin në atraksionet e shumta natyrore dhe kulturore të Shqipërisë, duke rezultuar në mbipopullim (gjatë sezonit të pikut) të zonave më të aksesueshme dhe shfrytëzim të pamjaftueshëm të zonave më të vështira për t’u aksesuar.

“Rritja e lëvizshmërisë përmes përmirësimeve të infrastrukturës dhe zgjidhjeve dixhitale është me rëndësi thelbësore për një turizëm të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës”, – thuhet ndër të tjera në dokument.

Për këtë arsye një nga masat e parashikuara për t’u ndërmarrë është identifikimi, vlerësimi dhe promovimi strategjik i infrastrukturës së nevojshme për të mbështetur rritjen e qëndrueshme të turizmit, teksa synohet që kjo përgjegjësi t’i jepet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

“Duke pasur akses në vlerësimin e detajuar të këtyre nevojave për investime, MTM mund të zhvillojë një plan për të bashkëpunuar me grupet përkatëse të interesit dhe për t’u siguruar se infrastruktura kritike është në përputhje me qëllimet e zhvillimit të turizmit”, – specifikohet në dokument./Scan