Ministria e Financave informoi sot se, në 9-mujorin 2024 të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 171 miliardë lekë, ose 11.3 miliardë lekë më shumë se 9-mujori 2023.

Po ashtu, të ardhurat doganore rezultojnë 7% më shumë se 9-mujori 2023, si dhe realizim në masën 98.8% të planit të të ardhurave doganore për 9-mujorin e vitit 2024.

Sipas MF-së, të ardhurat nga TVSH në import për 9-mujorin rezultojnë 115 miliardë lekë, 7.4 miliardë lekë, ose 7% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, ose 98.6% e planit për 9-mujorin 2024.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 47.2 miliardë lekë, 4.1 miliardë lekë ose 9.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023, me realizim në masën 99.6% të planit të akcizës për 9-mujorin 2024.

Ndërkohë të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2 miliardë lekë, me realizim në masën 103% kundrejt planit për 9-mujorin 2024.

Me rritje rezulton edhe treguesi i të ardhurave nga taksa doganore.

“Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 6.6 miliardë lekë, ose me realizim në masën 97.2% kundrejt planit”, njoftoi Ministria e Financave referuar statistikave fiskale për periudhën janar-shtator 2024./ata