Të ardhurat totale, për periudhën 9-mujore, arritën në rreth 528.4 miliardë lekë ose 99.6 % e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 51 miliardë lekë më shumë, ose 10.7% më shumë se 9 mujori i vitit 2023.

Ministria e Financave publikoi sot treguesit fiskalë për periudhën janar-shtator 2024.

Referuar të dhënave, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 9-mujore të vitit 2024, arritën në rreth 459 miliardë lekë me një realizim në masën 95.1% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.8% më i lartë, ose rreth 33 miliardë lekë më shumë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 9-mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 62.2% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 59.5% të planit vjetor sipas Aktit Normativ.

“Shpenzimet korrente dhe kapitale, për periudhën 9-mujore të vitit 2024, respektivisht u rezultuan në rreth 411.2 miliardë lekë dhe 47.7 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë shpenzimet korrente dhe kapitale, rezultuan përkatësisht më të lartë 8.4% ose rreth 31.8 miliardë lekë dhe 2.8% ose rreth 1.6 miliardë lekë më shumë”, njofton Ministria e Financave./ata