Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla po kalon një fillimsezoni mjaft të mirë tek spanjollët e Espanyol, duke e kurorëzuar edhe me një gol vendimtar në fitoren 2-1 përballë Majorkës.

Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, 24-vjeçari ka zbuluar shumë nga jeta në Barcelonë, por edhe për atë që dëshiron të bëjë në fushën e lojës.

“Jemi në fillim të sezonit, ndihem mirë dhe po luaj. Po gjej qëndrueshmëri, gjë që është shumë e rëndësishme për një sportist. Shpresoj të vazhdoj kështu. Espanjol më kërkoi dhe ndjeva se kishin besim tek unë. Në Itali për një vit e gjysmë nuk e shpreha potencialin tim. Në Spanjë, tifozët të njohin në rrugë, por asnjëherë nuk ndërhyjnë për të bezdisur. Barcelona i përshtatet shumë karakterit tim. Jam këtu për të ndihmuar skuadrën që të qëndrojë në elitën e futbollit spanjoll. Mendoj edhe për Kombëtaren shqiptare. Në fund të sezonit do të shohim se çfarë do të ndodhë. Më duhet kohë për të arritur majat”, shprehet ai.

Që prej kalimit të tij në Spanjë, Kumbulla nuk ka humbur asnjë minutë lojë në 11 ndeshje radhazi me klubin, por edhe me Kombëtaren shqiptare.

Mbrojtësi nuk u aktivizua vetëm në sfidën me Gjeorgjinë, ku Kombëtarja kuqezi arriti një fitore historike./ata