Bashkia e Tiranës, përmes Drejtorisë së Pastrim-Gjelbërimit, ka organizuar sot një iniciativë të veçantë në kuadër të Tetorit Rozë, duke realizuar një fjongo të madhe me lule rozë në qendër të qytetit.

Drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë së Pastrim-Gjelbërimit, Liri Qoshi, u shpreh se kjo nismë, së bashku me të tjera që do të pasojnë, synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të mbështesë vajzat dhe gratë në luftën kundër kancerit të gjirit.

Eventi tërhoqi vëmendjen e shumë qytetarëve, por edhe të turistëve nga disa shtete të ndryshme, të cilët ndaluan për të fotografuar fjongon simbolike, duke u bërë pjesë e këtij momenti solidariteti dhe ndërgjegjësimi.

Tashmë, qyteti i Tiranës do të ketë një simbol të veçantë rozë, i cili do të qëndrojë si një shenjë solidariteti në kuadër të Tetorit Rozë.

Ky simbol do të shërbejë jo vetëm për të rritur ndërgjegjësimin mbi luftën kundër kancerit të gjirit, por edhe për të frymëzuar banorët dhe vizitorët e qytetit gjatë aktiviteteve sportive të maratonës. Fjongoja me lule rozë, një simbol i fuqishëm i mbështetjes dhe kujdesit për gratë dhe vajzat, do të mbetet një pjesë e dallueshme e peizazhit të Tiranës në këtë periudhë./ata