Kryeministri Edi Rama ka dhënë mbështetjen e tij për nismën “Dhuro zërin” që ka në fokus nxënësit dhe personat me aftësi të kufizuar në shikim.

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Rama shpreh “kënaqësinë e falenderimin për ata të cilët dhuruan zërin e tyre, për të krijuar të parën bibliotekë audiodigjitale që përmbush nevojat për më shumë dije për nxënësit me vështirësi të shikimit, si edhe me admirimin më të lartë për drejtorin Emiliano Lule, i cili i përket kësaj kategorie sociale si një diell i vërtetë në rrugën e shumë fëmijëve që nuk shohin normalisht”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi dy ditë më parë përmes një videoje në rrjetet sociale fillimin e iniciativës së re që quhet “Dhuro Zërin”.

“Dita e Shkopit të Bardhë është dita për ta parë botën nga një perspektivë ndryshe dhe për të menduar se si mund të gjejmë mbështetje, përfshirje dhe zgjidhje inovative për njerëzit që nuk shikojnë, që çdo pengesë ta shndërrojmë në një mundësi për të ardhmen e tyre.

Me këtë qëllim nisi dhe fushata jonë DhuroZërin, ku përgjatë një viti u mbështet nga qindra lexues, mes të cilëve edhe figura të njohura të artit, kulturës, gazetarisë dhe sportit, të cilët dhuruan zërin e tyre për të krijuar të parën bibliotekë audiodigjitale që përmbush nevojat për më shumë dije për nxënësit me vështirësi të shikimit. Zëri mund të shkojë aty ku shikimi nuk mundet”, tha ministrja.

Ndërkohë, kësaj nisme i janë bashkuar shumë personalitete të botës së artit, kulturës dhe kinemasë në vend, duke përcjellë njëherësh edhe mesazhe kuptimplota dhe thirrje për artistët e tjerë që të përfshihen në këtë nismë.

Aktori dhe pedagogu Kastriot Çaushi ka një ftesë për të gjithë kolegët e tij në Ditën e Shkopit të Bardhë.

“Më vjen mirë që jam afër jush dhe ftoj vërtet të gjithë artistët dhe njerëzit që kanë ndjeshmëri për të dhuruar zërin e tyre për këta individë”.

Nora Çashku gjithashtu shtoi se zëri dhe jehonat kanë qenë një tipar i shqiptarëve ndër shekuj. “Përmes zërit është akoma më bukur të shprehen gjërat sepse shqiptarët e kanë pasur jehonën nga mali në mal si tipar tyrin, madje dhe kënga jonë e lahutës e ka tingëllimin me zë”, shton ajo.

Aktori Artan Imami thotë se i bashkohet kësaj nisme shumë i gëzuar, ndërsa mesazhi mbyllet me një lexim nga aktorja Elia Zaharia me një pasazh nga libri “Trëndafili i bardhë”./ata