Gjatë këtij sezoni veror, 34 qendra shëndetësore verore kanë ofruar kujdes shëndetësor të shpejtë dhe të sigurt për turistët vendas dhe të huaj.

Qendrat ofruan shërbim shëndetësor 24 orë në 7 ditë të javës pranë zonave më të frekuentuara turistike të shpërndara gjeografikisht në të gjithë Shqipërinë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se nga 1 qershori deri më 30 shtator, 34 qendra shëndetësore verore realizuan 80,765 vizita mjekësore, ku 32% u kryen për shtetas të huaj.

Koçiu vlerësoi se “ofrimi i këtij shërbimi, me mbi 80 mijë vizita mjekësore, dëshmon përkushtimin tonë për të ndërtuar një sistem shëndetësor funksional dhe sa më pranë çdo pushuesi që zgjedh Shqipërinë si destinacion për të kaluar pushimet”.

“Përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës dhe shërbimeve shëndetësore mbetet prioriteti ynë për Shqipërinë 2030”, u shpreh ministrja Koçiu.

Gjatë këtij viti është shënuar dhe një numër i lartë turistësh të cilët kanë marrë shërbim pranë QSH verore edhe gjatë muajit shtator, me një rritje prej 57% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për sezonin turistik u angazhuan rreth 2100 mjekë, infermierë dhe staf mbështetës pranë qendrave shëndetësore verore nga veriu, në jug të vendit./ata