Projekti pilot i laboratorëve SMART që është përfshirë në 300 shkolla në të gjithë vendin dhe ka përfshirë mbi 35 mijë nxënës të klasave të I, II dhe III është në rrugën e duhur dhe sipas Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, edhe shumë shkolla të tjera në rang vendi pritet që t’i bashkohen këtij projekti.

Manastirliu, ishte sot në shkollën 9-vjeçare “Klodian Tanushi” në Qesarakë, për të parë nga afër laboratorin Smart, një prej investimeve më të fundit në infrastrukturën arsimore të vendit. Shkolla “Klodian Tanushi” është një nga 50 laboratorët që janë vendosur në shkollat e Tiranës për modernizimin e mësimdhënies përmes teknologjisë digjitale.

“Kemi bërë një investim të rëndësishëm për të krijuar një laborator që i shërben fëmijëve që nga klasa e parë, jo vetëm për të mësuar rreth Teknologjisë së Informacionit, por edhe për të zhvilluar aftësi të domosdoshme si kodimi, mendimi kritik dhe zgjidhja e problemeve,” u shpreh Manastirliu gjatë vizitës së saj.

“Laboratorët SMART dhe gjithë investimi që kemi bërë u vlen fëmijëve, jo vetëm për t’u përgatitur dhe njohur me teknologjinë, por dhe për të përfituar aftësitë për kodimin dhe zgjidhjen e  problemeve të ndryshme dhe nxitjen e kreativitetit. Të gjitha këto janë të përfshira në këtë kurrikul që po pilotohet në 300 shkolla dhe jemi në nivelet ku 35 mijë nxënës janë të përfshirë. Në Tiranë janë 50 laboratorë të instaluar dhe funksionalë dhe për 654 të tjerë do fillojë instalimi në gjimnaze dhe shkolla të tjera që do të zhvillojë kurrikulën dhe informacionin” tha ministrja.

Manastirliu nënvizoi gjithashtu përparësitë e programit kombëtar të trajnimit të mësuesve në aftësimin e tyre me njohuri digjitale.

“Ne tashmë kemi trajnuar përmes Programit Kombëtarë të Zhvillimit Profesional të Mësuesve mbi 600 mësues, 200 drejtorë shkollash për kurrikulën re të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK)”, tha Manastirliu.

Mësuesja e lëndës TIK në këtë shkollë u shpreh se ky laborator është jo vetëm brenda standardeve, por përmbush të gjitha pritshmëritë e fëmijëve dhe prindërve çdo ditë.

Vetë nxënësit shprehen entuziastë. “Mua më pëlqen shumë ambienti sepse këtu ka shumë kompjutera ku ne mund të mësojmë për t’u bërë kodues të vegjël”, thotë një prej nxënëseve.

“Këtu mund të luajmë dhe të vizatojmë. Ne bëjmë shumë gjëra të bukura. Mua më pëlqen kompjuteri dhe ora e TIK-ut sepse më mëson të kodojë”, shtojnë fëmijët e tjerë./ata