Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka qenë e pranishme në Parkun Natyror Drilon-Tushemisht ditën e sotme, së bashku me fondacionin Shqiptaro-Amerikan, nga ku foli për menaxhimin e zonave të mbrojtura në vendin tonë.

Kumbaro u shpreh se nga janari i këtij viti, e deri në fund të shtatorit zonat e mbrojtura janë vizituar nga 4.5 milionë turistë.

Sipas ministres, interesi për vizitën e zonave të mbrojtura është në rritje.

Mirela Kumbaro: Zonat e mbrojtura në Shqipëri kanë bashkëjetuar dhe janë të tilla falë njerëzve që jetojnë dhe punojnë në këto zona. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur hapësira gjigante krejt të egërta pa ndërhyrje nga njerëzit. Njerëzit përmes traditës, zakoneve dhe artizanatit bujqësor apo urban kanë bërë që të kemi zona të tilla të mbrojtura siç është Tushemishti, Driloni. Një falënderim shumë të sinqertë për Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim. Nga janari deri në fund të shtatorit kemi pasur 4.5 mln vizitorë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë. Është shifër e barabartë me totalin e vizitorëve në vitin e kaluar në këto zona që do të thotë interesi për vizitorët për zonat e mbrojtura është në rritje.

Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka ndarë pamje nga vizita e Mirela Kumbaros, e cila përveçse Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ka qenë gjithashtu e shoqëruar dhe nga Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Niko Peleshi.

Rama shkruan se ndërhyrja në Parkun Natyror Drilon-Tushemisht ka sjellë një ‘tjetër hov’ turizmit të natyrës./GazetaShqiptare