U përurua Qendra e Vizitorëve në parkun ujor Drilon-Tushemisht, një projekt i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe bashkinë e Pogradecit.

Ky projekt i cili reflekton përkushtimin për zhvillimin e qëndrueshëm dhe miqësor me natyrën, gërsheton turizmin e qëndrueshëm në harmoni me rregullat e konservimit të këtij parku natyror.

Në ceremoninë ku morën pjesë kryetari i bordit të AADF Michael D.Granoff, kryetari i bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Niko Peleshi Kumbaro u shpreh njerëzit përmes traditës, zakoneve, artizanatit bujqësor apo urban kanë bërë të kemi një entitet të zonave të tilla të mbrojtura siç është Tushemishti, Driloni.

“Në Shqipërinë e vogël zonat e mbrojtura qofshin park natyror, park kombëtar, apo peizazh i mbrojtur kanë bashkëjetuar dhe janë të tilla falë njerëzve që kanë jetuar dhe jetojnë e punojnë në këto zona natyrore. Njerëzit këtu janë pjesë e ekosistemit. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur hapësira gjigante krejt të egra pa asnjë ndërhyrje nga njerëzit, por në shekuj njerëzit përmes traditës, zakoneve, artizanatit bujqësor apo urban kanë bërë të kemi një entitet të zonave të tilla të mbrojtura siç është Tushemishti, Driloni”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Më tej, Kumbaro vlerësoi projektin për harmonizimin e zhvillimit të turizmit e ekonomisë lokale me rregulla të qarta të organzimit në respekt të ruajtjes së natyrës.

“Projekte të tilla përtej vështirësive dhe përtej paragjykimeve, janë projekte që forcojnë lidhjen midis njeriut dhe natyrës sepse janë pjesë e një mentaliteti të ri i cili edukon brezat me natyrën. Të tilla projekte kanë një vlerë edukimi shumë të madhe sepse duke i sjellë vizitorët jo në mënyrë të çorganizuar, duke i ftuar investitorët dhe banorët të bëhen pjesë e tij, në mënyrë të organizuar, me rregulla që respektojnë në radhë të parë ambientin, vazhdojmë atë traditë që na e kanë lënë natyrshëm të parët për ta ruajtur parkun natyror, por edhe për të përfituar të mirat, qoftë edhe shpirtërore që sjell për ekonominë lokale, por edhe për vizitorët”, vazhdoi ministrja Kumbaro.

Në fund të fjalës së saj, ministrja u shpreh se nga janari në shtator, 4.5 milionë vizitorë kanë vizituar zonat tona të mbrojtura, duke tejkaluar totalin e një viti më parë, tregues i një interesi në rritje për turizmin natyror.

Drilon-Tushemisht është në një hapësirë e vogël gjeografike ku ndërthuren me shumë hijeshi disa nga perlat e natyrës shqiptare si: burimet e Drilonit, liqeni i Pogradecit, shtëpitë karakteristike të zonës, rrugë të ngushta kalimi dhe peizazhe piktoreske, të cilat krijojnë një oaz të mrekullueshëm me mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit në zonë.

Ky projekt lejon që vizitorët të mos shëtisin vetëm në pedonalen e Drilonit, por përmes kalimeve kryesisht këmbësore, të shkohet deri tek burimet e Drilonit dhe në Tushemisht. Çdo ndërhyrje, është kryer me metoda miqësore ndaj mjedisit, duke mbrojtur biodiversitetin./ata