Liqeni i Shkodrës këtë sezon turistik ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh.

Ky liqen, i cilësuar si një ndër potencialet e rëndësishme turistike në Shkodër, ofron mundësi për larmishmëri aktivitetesh.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Shkodër, Agim Dardha bëri të ditur sot për ATSH-në se “liqeni i Shkodrës gjatë muajve janar-shtator u vizitua nga 203 550 vizitorë, nga të cilët 118 300 vendas dhe 85 250 të huaj”.

“Ky vit ka shënuar një rritje të konsiderueshme të vizitorëve si pasojë edhe të vendosjes së dy varkave turistike pranë molit të Shirokës, të mundësuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe qeveria shqiptare”, tha Dardha.

Këto varka, me kapacitet 33 vende secila, janë një mundësi për vizitorët në Shirokë për të shijuar magjinë e ujërave dhe peizazhit të liqenit më të madh në Ballkan.

Varkat i shtohen një rrjeti ndërhyrjesh që ka nisur me krijimin e tre moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna.

Një tjetër atraksion turistik që ka sjellë edhe shtimin e vizitorëve janë edhe sportet ujore.

“Shëtitjet me kanoe, varkat dhe gondolat veneciane kanë qenë të preferuarat e turistëve në liqenin e Shkodrës”, tha Dardha.

Udhëtimi me kanoe zgjat rreth 7 orë dhe përshkon rreth 18 km vijë lumore dhe liqenore, me peizazhe magjepsëse të natyrës si dhe shpendëve të shumtë në këtë zonë.

Sipas tij, një tjetër atraksion që vijon të tërheqë vizitorët është edhe vrojtimi i shpendëve.

“Liqeni i Shkodrës ka një faunë të pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës së Shqipërisë”, tha Dardha.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./ata