Grupimi i Enkelejd Alibeaj ka ankimuar në KAS regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

 

Sipas përfaqësuesit ligjor të Alibeaj, Indrit Sefa, marrëveshja e koalicionit përmban referenca të Partisë Demokratike, kur kjo forcë politike, kryetari i saj i komanduar, apo ndonjë person tjetër i autorizuar nuk ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në këtë koalicion. Po ashtu në dokument thuhet se marrëveshjes  i mungon elementi për përcaktimin e kandidatëve nga secila parti politike.

 

Më tej, Sefa thekson se në kushtet kur subjekti politik “Komisioni i Përkohshëm i Themelimit” është përjashtuar nga marrëveshja, mbetet e paqartë se cila parti politike do të propozojë kandidatët e koalicionit.

 

Kujtojmë se koalicioni i regjistruar në KQZ tashmë përmban 3 parti, pasi u vendos që Partia Demokratike me Sali Berishën nën cilësinë e kryetarit të përjashtohej.

 

Ky koalicion do të përbëhet nga tre partitë politike; Partia e Lirisë (PL), Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) dhe Partia Demokristiane (PDK).