“Ajo çfarë ne propozojmë për Shqipërinë e vitit 2030 është transformim epokal i vendit tonë dhe natyrisht përgatitja për të qenë pjesë e familjes europiane”, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi.

Në një komunikim për mediet, nga Korça ku zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Socialiste, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Blendi Klosi tha se angazhimi është maksimal.

“Së bashku me koordinatorin politik të qarkut Niko Peleshi patëm një takim të këshillit organizativ të qarkut Korçë për të strukturuar gjithë punën që partia socialiste po bën tani në fazën e 3-të të rienergjizimit të saj”, bëri të ditur Klosi.

“Në datën 10-11 të muajit tjetër ne kemi një proces të rëndësishëm, votimet një anëtar, një votë. Në këto data e gjithë anëtarësia e partisë do të thirret për të zgjedhur delegatët e kongresit të jashtëzakonshëm të partisë, i cili do të jetë një kongres zgjedhor dhe nga i cili do të dalë dhe asambleja kombëtare e PS. Në këtë proces janë angazhuar të 5200 organizatat socialiste në të gjithë Shqipërinë, janë propozuar një numër i konsiderueshëm delegatësh për kongresin e ri të partisë, duke zbatuar kriteret që kemi të vendosura në statut dhe vendimmarrjet që janë në forumet me të larta drejtuese, ku numri i delegatëve do të jetë i barabartë, ku do të kemi numër të barabartë shokësh dhe shoqesh në kongresin e ri të PS”, tha Klosi.

“Do të kemi një numër të konsiderueshëm të anëtarësh të rinj kandidatësh për të zgjedhur delegatë të kongresit. Dhe kërkesa e vazhdueshme në listat e kandidatëve për të zgjedhur delegatë të kongresit, ku mbi 3/4 e tyre të jenë të rinj. Ajo frymë, e cila u evidentua gjatë gjithë procesit të anëtarësimit, ku anëtarësuam më shumë se 30 mijë anëtarë të rinj në harkun kohor të vetëm 2 muajve, por çfarë evidentuam pas zgjedhjeve të kryetarëve të rinj të organizatave duhet evidentohet edhe në kongresin e ri të partisë, ku një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtij kongresi do të jenë delegatë për herë të parë, pra përfaqësimin e kësaj fryme të re që PS ka realizuar nëpërmjet procesit në të gjithë vendin”, tha Klosi më tej.

Duke folur për takimet me Diasporën, që do të nisin nga data 12 maj në Athinë, Klosi tha se takimet do të zhvillohen në katër qytete.

“Në 12 maj, ne do të organizojmë në Athinë një takim që tashmë ka marr titullin ose logon e këtij aktiviteti krenar për Shqipërinë, ku do të kërkohet rienergjizimi i gjithë raportit të diasporës shqiptare me Shqipërinë”, tha ai.

“Ajo çfarë ne propozojmë për Shqipërinë e vitit 2030 është transformim epokal i vendit tonë dhe natyrisht përgatitja për të qenë pjesë e familjes europiane, nuk mund të organizohej edhe pa një angazhim të plotë të diasporës. Për të vendosur këtë raport me diasporën shqiptare, për të folur me ta për vizionin e vitit 2030 kryeministri Edi Rama do të bëjë një tur takimesh, duke filluar nga Athina, Milano, Londër, Mynih. Do të jenë takime edhe me komunitetin shqiptar”, përfundoi Klosi./ata