Mijëra njerëz marshuan në Gjenevë të Zvicrës për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit ndaj Gazës dhe Libanit.

Aktivistët u takuan në sheshin Place de Neuve në Gjenevë dhe marshuan në qendër të qytetit.

Demonstruesit mbanin flamuj palestinezë dhe libanezë, duke shprehur indinjatën e tyre ndaj sulmeve të Izraelit në Gaza dhe Liban dhe duke i përshkruar ato si gjenocid.

Aktivistët kënduan slogane kundër Izraelit anglisht, frëngjisht dhe arabisht dhe kritikuan SHBA-në dhe vendet perëndimore për mbështetjen e tyre të pakushtëzuar ndaj Izraelit.

Ndërsa shumë aktivistë mbanin pankarta që kërkonin armëpushim në Gaza dhe Liban, ata reaguan gjithashtu ndaj qeverisë zvicerane për vazhdimin e marrëdhënieve të saj diplomatike me Izraelin.

Aktivistët bënë thirrje për një bojkot të shitjeve të armëve, si dhe të tregtisë me Izraelin.

Demonstruesit u shtrinë në tokë gjatë një pjese të protestës, duke tërhequr vëmendjen për fëmijët dhe gratë e vrara në Gaza dhe Liban.

Duke folur për Anadolu, një zviceran me emrin Mark tha se po merrte pjesë në këtë protestë pasi është shqetësuar nga sulmet e Izraelit ndaj popullit palestinez.

“Ajo që po ndodh (në Gaza dhe Liban) duhet të marrë fund. Ky është gjenocid”, tha ai.

Edita, një zvicerane me origjinë spanjolle, deklaroi se po merrte pjesë në marshim në shenjë solidariteti me palestinezët, duke shtuar: “Për mendimin tim, Izraeli është një vend terrorist dhe masakron palestinezët. Si qenie njerëzore, nuk mund të duroj të shoh në rrjetet sociale fëmijë që vdesin çdo ditë”, tha ajo.

Marshimi, i cili u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe zgjati afërsisht dy orë, përfundoi pranë Stacionit të Trenit Cornavin./aa