Bëhet e ditur se ka shumë të vrarë dhe të plagosur në sulmin e kryer nga ushtria izraelite në një shkollë në Rripin e Gazës ku ishin strehuar civilët e zhvendosur.

Sipas informacionit të marrë nga burime lokale, ushtria izraelite ka nisur një sulm me zjarr artilerie në shkollën "Izz Bin Abdusselam" në kampin e refugjatëve Nusairat, që ndodhet në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ku janë strehuar civilët që vinin nga veriu.

Thuhet se si pasojë e sulmit ka shumë të vrarë dhe të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë. Artileria izraelite nisi sulme të ashpra në veri të kampit të refugjatëve Burayj në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Helikopterët e ushtrisë izraelite sulmuan fuqishëm rreth fabrikës "Al-Awde" në lindje të qytetit të Deir al-Belah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. Burimet spitalore thanë se trupat e 3 personave të bllokuar nën rrënoja pas sulmit izraelit në qytetin Rafah u sollën në Spitalin Evropian në Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite hodhi në erë disa vende dhe ndërtesa në perëndim të Rafah, në jug të Rripit të Gazës, me eksploziv gjatë gjithë natës.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza dje tha se në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori janë vrarë 40.405 palestinezë, mes të cilëve të paktën 16.480 fëmijë dhe 10.980 gra ndërsa 93.468 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar./aa