Kryeministri Edi Rama, ministrat Blendi Gonxhja dhe Petrit Malaj, po mbajnë sot (21 Tetor) një bashkëbisedim me pensionistët, për skemën e pensioneve.

Kjo nismë është cilësuar si një “detyrim dhe përgjegjshmëri ndaj moshës së tretë”.

Ministri i Financave, Petrit Malaj u shpreh se po shqyrtohet mundësia e rritjes së bonusit të fundvitit për pensionistët.

“Po shqyrtojmë mundësinë e rritjes se bonusit të fundvitit, bazuar në kapacitetet financiare që ka vendi ynë. Synon të lehtësojë barrën financiare”, tha Malaj.

Më tej ai shpjegoi edhe funksionimin e skemës së re të pensioneve.

“Në terma afatgjatë është krijimi i një skeme të qëndrueshme, që do të garantojë rritjen e qëndrueshme. Indeksimi me 4.1% nuk ka të bëjë me reformën që duam të bëjmë ne në skemën e pensioneve”, shtoi ministri.

Kurse ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, dha detaje të tjera për këtë sfidë siç e quajti ai.

“Kur kam folur me kryeministrin Rama, sfida kryesore ishte shqetësimi për rritjen e pensioneve. Mbi 1/5 e buxhetit të shtetit shkon për pensionet dhe me pjesën tjetër duhet të realizohet çdo gjë tjetër. Që të na dalin llogaritë, duhet që për një pension të kemi 2-3 të punësuar, ndërkohë që aktualisht është 1 me 1. Po punojmë fortë dhe sot jemi më pranë se kurrë për ta zgjidhur dhe korrigjuar situatën e pensioneve. Jemi shumë të angazhuar për tolerancën 0 ndaj deklarimeve fiktive”, u shpreh ministri./Shqiptarja