Ish-presidenti dhe lideri i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehu falenderime për anëtarët e partisë së tij për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë ofruar.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, të parën pas arrestimit të tij, Meta njoftoi se nga sot, lufta e PL do të kalojë në një fazë të re në përballjen me “Narkoshtetin” që, sipas tij, është instaluar brutalisht në vend.

Meta shprehu besimin e tij në fitoren e kauzave kombëtare dhe demokratike.

“Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike! Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do t’u ngrijë e qeshura në buzë”, tha Meta.

“Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat. Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe më shumë në pafajësinë time të plotë. Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”, përfundon reagimi i Metës./ata