Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se tranzicioni në Shqipëri ka mbaruar, dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë.

Në takimin e hapur me grupin e tretë të aplikantëve në platformën digjitale “Deputeti që duam”, ai theksoi se Shqipëria është ulur në tryezë duke negociuar për integrimin në BE dhe kjo ka qenë dita më e rëndësishme për të, që kur ka marrë këtë detyrë.

“Kam një lajm të mirë për ju: Tranzicioni ka mbaruar! Shqipëria, sot është në tryezë ulur, duke negociuar për BE dhe faktikisht për mua javën e kaluar ka qenë dita më e rëndësishme që kur e kam marrë këtë detyrë. Momenti më përmbushës, sepse e di mirë si dëshmitar i gjithë rrugës për t’u ulur në atë tryezë atë ditë se çfarë na është dashur të heqim nga shpina si ngarkesa dhe hije të së shkuarës të bëjmë për të provuar për veten tonë dhe për të tjerët që ne jemi një forcë që mund ta garantojë të ardhmen”, deklaroi Rama.

Rama tha se Shqipëria ka shumë probleme, por se ka garanci dhe kapacitete, pjesa më e madhe e të cilave në PS, për ti adresuar ato.

“Shqipëria ka shumë probleme, por ka një garanci, sepse ka dhe kapacitete, sipas meje, të mishëruar në pjesën e vet më të madhe te PS, për ti adresuar problemet”, deklaroi Rama./ata